Shtëpia e Bardhë reagoi më 8 janar 2026 lidhur me lirimin e të burgosurve të shpallur në Venezuelë, duke e cilësuar atë si një shembull të ndikimit që ushtron presidenti amerikan Donald Trump mbi autoritetet në Karakas.
Në një deklaratë të dërguar për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP), zëvendës zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, u shpreh se ky zhvillim tregon mënyrën se si Trump përdor ndikimin e tij. “Kjo është një nga shembujt se si presidenti përdor ndikimin e tij në maksimum, për të mirën e popullit amerikan dhe të popullit të Venezuelës,” theksoi ajo.
Ndërkohë, qeveria spanjolle njoftoi lirimin e pesë shtetasve spanjollë në Venezuelë, mes tyre edhe një person me shtetësi të dyfishtë. Lajmi vjen pas deklaratës së presidentit të Parlamentit venezuelian për lirimin e një numri të konsiderueshëm të të burgosurve politikë.
“Në qeverinë spanjolle përshëndesim lirimin sot në Karakas të pesë shtetasve spanjollë, përfshirë një me shtetësi të dyfishtë, të cilët po përgatiten të kthehen në Spanjë me ndihmën e ambasadës sonë në Karakas,” thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Spanjës. Sipas autoriteteve në Madrid, ky zhvillim përbën një hap pozitiv në fazën e re në të cilën po hyn Venezuela, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të ndjekë nga afër situatën politike dhe të të drejtave të njeriut në vend.