Shtëpia e Bardhë deklaroi më 1 maj 2026 se nuk do të jepë detaje për bisedimet diplomatike private në lidhje me propozimin e ri të Iranit drejtuar Shteteve të Bashkuara, të përcjellë përmes ndërmjetësve pakistanezë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, u shpreh për Reuters se administrata amerikane mbetet e vendosur ndaj Teheranit. “Nuk japim detaje për bisedimet private diplomatike. Presidenti Donald Trump e ka bërë të qartë se Irani nuk mund të zotërojë kurrë armë bërthamore, ndërsa negociatat vijojnë për të garantuar sigurinë kombëtare afatshkurtër dhe afatgjatë të Shteteve të Bashkuara”, tha ajo.
Në të njëjtën kohë, Departamenti i Thesarit i SHBA-së paralajmëroi kompanitë detare për pagesa ndaj Iranit për kalimin e sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit. Këto pagesa, madje edhe ato të maskuara si donacione për organizata si Gjysmëhënën e Kuqe Iraniane, mund të pasohen me masa ndëshkuese.
Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC), pjesë e Departamentit të Thesarit, theksoi se autoritetet amerikane janë në dijeni të kërcënimeve iraniane ndaj lundrimit detar dhe kërkesave për tarifa kalimi në këtë zonë strategjike, e rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.
Propozimi iranian përfshin kërkesa për pagesa nga anijet që kalojnë nëpër Ngushticë.