Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se planet për bisedime me Iranin vijojnë, duke theksuar se ato mbeten fluide dhe çdo spekulim nuk duhet të konsiderohet përfundimtar derisa të ketë njoftime zyrtare. Kjo vjen pas deklaratave kontradiktore mes presidentit amerikan Donald Trump dhe zyrtarëve iranianë lidhur me konfliktin në vazhdim.
Trump ka pohuar se ka zhvilluar biseda produktive me Teheranin, duke shtyrë me pesë ditë sulmet ndaj centraleve energjetike iraniane, zbutur kërcënimet ndaj objekteve bërthamore dhe dhënë një afat 48-orësh të shtunën për hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Të hënën, ai postoi për herë të parë në lidhje me bisedimet SHBA–Iran. Pala iraniane i ka cilësuar këto pretendime si lajme të rreme.
Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme iraniane ka thënë se Teherani ka marrë sinjale dhe propozime nga SHBA përmes ndërmjetësve, të cilat po shqyrtohen si hap paraprak drejt bisedimeve të mundshme. Megjithatë, nuk ka asnjë takim të konfirmuar mes përfaqësuesve të lartë të dy vendeve.
Zëdhënësja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka bërë thirrje për kujdes, duke nënvizuar se këto janë diskutime diplomatike të ndjeshme dhe SHBA nuk negociojnë përmes mediave.
Ndërkohë, çmimi i naftës është rritur sërish mbi 100 dollarë për fuçi. Nafta Brent ka arritur 103.69 dollarë në tregjet aziatike, ndërsa nafta amerikane Nymex ka parë rritje të ngjashme. Kjo vjen pas rënies së mëparshme, e nxitur nga sinjalet për shtyrje sulmesh, por investitorët mbeten të pasigurt për shkak të mohimeve iraniane.
Përditësime
Çmimi i naftës Brent arriti 103.94 dollarë për fuçi të martën në Azi (+4%). Të hënën kishte rënë mbi 10%, pas kulmit 113 dollarësh.
- Lufta filloi më 28 shkurt; Irani ka bllokuar efektivisht Ngushticën e Hormuzit që atëherë.
- 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm botëror kalon nëpër të.
- SHBA pezulloi përkohësisht sanksionet ndaj naftës ruse dhe iraniane detare.
- Donald Trump ka deklaruar "përparim madhor drejt përfundimit të konfliktit".
- Sipas raportimeve, Zëvendëspresidenti JD Vance mund të udhëtojë në Pakistan për bisedime direkte me zyrtarët iranianë.