Një shtetas i Republikës së Shqipërisë është vetëplagosur me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në Prishtinë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00 të datës 23 janar 2026, në rrugën “Bekim Fehmiu”. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, mashkulli shqiptar dyshohet se është vetëplagosur me një pistoletë, të cilën njësitë policore e kanë konfiskuar bashkë me një karikator pa fishek në vendin e ngjarjes.
I lënduari është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Lidhur me rastin, policia ka intervistuar edhe dy meshkuj kosovarë të dyshuar, të cilët, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.
Përditësime
Policia e Kosovës ka kualifikuar incidentin e vetëplagësimit të një shtetasi të Shqipërisë në Prishtinë si vepër penale për “mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës zjarri” sipas Kodi Penal të Kosovës.
Në deklaratën zyrtare, policia konfirmoi: “Ngjarja është kualifikuar si vepër penale sipas nenit përkatës të Kodit Penal të Kosovës për mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës zjarri, në lidhje me incidentin e vetëplagësimit të shtetasit shqiptar në Prishtinë”.