Ministeriali në nivel të ministrave të Punëve të Jashtme, i cili bashkëorganizohet nga Shqipëria dhe Ukraina, nuk do të mbahet në datën e parashikuar. Lajmi është konfirmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë përmes një njoftimi zyrtar.
Sipas njoftimit, ndryshimi i axhendës vjen si pasojë e situatës së sigurisë në Ukrainë dhe angazhimeve në këtë kuadër të ministrit të Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrii Sybiha, i cili është bashkëorganizator i këtij takimi. Për shkak të këtyre rrethanave, Sybiha nuk do të mund të marrë pjesë në ministerialin e planifikuar për datën 12 qershor.
Autoritetet shqiptare kanë bërë të ditur se data e re e zhvillimit të ministerialit do të njoftohet publikisht në një moment të dytë.