Anëtarja e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka mohuar nënshkrimin e iniciativës që kërkon largimin e kryetarit Lumir Abdixhiku. Në një prononcim për mediat para mbledhjes së kryesisë, Halimi vlerësoi se përgjegjësia për rezultatet zgjedhore nuk mund t'i atribuohet vetëm kryetarit, por duhet të trajtohet si një përgjegjësi e përbashkët e të gjitha strukturave të partisë.
"Nuk e kam nënshkruar. Besoj që përgjegjësia duhet të merret nga të gjitha palët në LDK dhe nuk është i mjaftueshëm vetëm angazhimi i kryetarit", u shpreh ajo.
Lidhur me agjendën e takimit, Halimi sqaroi se fokusi kryesor i mbledhjes do të jetë analiza e rezultateve zgjedhore dhe procesi i krijimit të institucioneve. Ajo theksoi se çështja e nismës për shkarkimin e kryetarit mund të trajtohet në pikën e fundit të rendit të ditës, e cila është parashikuar për çështje të "ndryshme".