Atlético Madridi fitoi me rezultat 3-0 ndaj Mallorcës së Vedat Muriqit, në ndeshjen e javës së 21-të të La Ligas spanjolle, të luajtur të dielën në stadiumin Metropolitano të Madridit.
Golat u shënuan nga Alexander Sørloth në minutën e 22-të, David López me autogol në minutën e 75-të dhe Thiago Almada në minutën e 87-të. Pas kësaj fitoreje, Atlético Madridi zë vendin e tretë me 44 pikë, ndërsa Mallorca qëndron në vendin e 16-të me 21 pikë.
Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi nuk la gjurmë në këtë ballafaqim, ndonëse në ndeshje të mëparshme kishte shënuar gola ndaj Atlético-s. Trajneri i madrilenëve, Diego Simeone, e vlerësoi kundërshtarin pas ndeshjes.
“Shumëkush që e lexon gazetën do të thotë se ishte fitore e lehtë 3-0, por nuk ishte. Mallorca u shfaq shumë e fortë. Kjo skuadër e ka Vedat Muriqin dhe forcën në lojën në ajër. Por, mendoj se e kontrolluam mirë, arritëm rezultat të mirë me paraqitje shumë të mirë ekipore”, deklaroi Simeone.
Përditësime
Futbollistët e Atlético Madrid postuan në rrjetet sociale një foto ku vendosin syze në zhveshtore, duke ia dedikuar Vedat Muriqit të Mallorcës.
Mallorca kishte publikuar më parë një foto të ngjashme me Muriqin duke vënë syze para ndeshjes.
Muriqi ka shënuar 14 gola në La Liga këtë sezon.