Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë janë shënuar 29 vatra zjarri. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, 11 prej tyre mbeten aktive, ndërsa pjesa tjetër është vendosur nën kontroll ose është në monitorim. Operacionet për shuarjen e flakëve po zhvillohen përmes angazhimit të gjerë të Mbrojtjes Civile, Policisë së Shtetit, shërbimeve pyjore, Forcave të Armatosura dhe forcave vullnetare.
Në terren janë angazhuar 249 efektivë të MZSH-së, 233 forca bashkiake dhe të AdZM-së, 118 efektivë të Forcave të Armatosura, 48 forca policore dhe 206 vullnetarë. Mbështetja nga ajri sigurohet përmes helikopterëve dhe avionëve të tipit Air Tractor. Ndërhyrjet janë përqendruar në zona me terren të thyer, ku era dhe temperaturat e larta kanë vështirësuar izolimin e flakëve.
Ndër vatrat më të rëndësishme që kërkojnë ndërhyrje intensive përmenden:
• Gurë-Lurë (Dibër): Operacioni mbetet prioritar me angazhimin e 120 forcave bashkiake, 57 efektivëve të FA-së, 15 forcave policore, 15 vullnetarëve dhe 9 punonjësve të AdZM-së. Perimetri pranë banesave është vendosur nën kontroll.
• Qafë-Helmes (Bulqizë): Zjarri mbetet aktiv në një zonë pyjore, ku autoritetet po punojnë për izolimin e flakëve të cilat janë përhapur në terren të vështirë.
• Dajt dhe Priskë e Madhe (Tiranë): Situata është nën kontroll dhe nuk raportohet rrezik për banesat.
• Përmet (Mali i Nëmerçkës dhe Dhëmbel): Operacionet vijojnë në kushte të vështira, por pa kërcënim për zonat e banuara.
Prioriteti i Ministrisë së Mbrojtjes mbetet mbrojtja e zonave të banuara dhe kufizimi i përhapjes së zjarreve në terrenet pyjore. Në disa qarqe, si Shkodër dhe Elbasan, operacionet po shkojnë drejt izolimit të plotë të vatrave të mbetura.
Përditësime
Situata në Parkun Kombëtar të Lurës është përkeqësuar ndjeshëm, me fokus kryesor te lagjja Koçekë. Autoritetet angazhuan dy avionë 'Air Tractor' për ndërhyrje nga ajri në përpjekje për të frenuar flakët. Njëkohësisht, vatrat e zjarrit janë zgjeruar në drejtim të zonës Fushë-Bulqizë-Selishtë, duke shtuar presionin mbi ekipet e ndërhyrjes në terren.
Autoritetet raportuan 29 vatra zjarri në 24 orët e fundit, ku aktualisht 11 vatra mbeten aktive. Angazhimi në terren përfshin 249 zjarrfikës, 206 vullnetarë, 3 helikopterë dhe 60 mjete operacionale. Situata paraqet këto zhvillime të reja: • Në Borie-Lurë, flakët po kërcënojnë 6-7 banesa, ndërsa ekipet po hapin një kanal mbrojtës. • Një vatër e re u shfaq në Zidoll të Krujës, në afërsi të depove të eksplozivit. • Vatra të reja janë regjistruar gjithashtu në Trojë (Mirditë), Rrencë, Goraj-Budishtë (Shkodër), Dardhë (Librazhd) dhe Shalës (Cërrik).
Zjarri në Lurë është zgjeruar në tre drejtime kryesore: Gurë-Lurë, Fushë-Lurë dhe Borie-Lurë. Në zonën e Dajtit, operacionet ajrore vijojnë me dy helikopterë që po mbështesin ndërhyrjen mbi Qafëmolla. Autoritetet konfirmuan shuarjen e plotë të vatrës në Priskë të Madhe pas 3 ditësh angazhim. Ndërkohë, shërbimet e emergjencës identifikuan vatra të reja zjarri në Malësinë e Madhe dhe Fushë-Arrëz, ku po dërgohen forcat për vlerësim dhe ndërhyrje.
Autoritetet e emergjencave raportuan një vatër të re zjarri në zonën e Lufajt, pranë Perlatit në Mirditë. Flakët po përparojnë në një sipërfaqe pyjore me lisa në drejtim të lagjes Ndrejaj. Terreni i thyer në këtë zonë po pengon aksesin e mjeteve të zjarrfikësve, duke e bërë ndërhyrjen e forcave në terren tejet sfiduese.
Autoritetet raportuan 13 vatra zjarri në nivel vendi, nga të cilat 10 mbeten aktive, 2 janë nën kontroll dhe 1 është shuar. Në Lurë, situata pranë zonave të banuara u normalizua pas angazhimit të 2 avionëve Air Tractor dhe mbështetjes nga 200 forca bashkiake e 50 ushtarë të Forcave të Armatosura. Ndërhyrjet ajrore stabilizuan gjendjen në Zidoll të Krujës, ndërsa vatra në Paulesh të Peqinit është shuar plotësisht. Në Përmet dhe Qukës, reshjet e shiut kanë lehtësuar ndjeshëm operacionet e shuarjes.
Dëmet nga zjarret në parkun kombëtar të Lurës janë rënduar, me 300 hektarë pyje të shkrumbuar gjatë katër ditëve të fundit. Për shuarjen e flakëve, autoritetet kanë rritur kapacitetet në terren me 18 vullnetarë dhe 2 automjete zjarrfikëse shtesë. Në zonën e Malit të Dajtit, Forcat e Armatosura kanë angazhuar 2 helikopterë për të ndërhyrë nga ajri, ndërsa në Priskë dhe Farkë operojnë 30 forca zjarrfikëse me 6 mjete të specializuara.
Autoritetet raportojnë 29 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilat 19 janë shuar ndërsa 10 vatra mbeten aktive. Situata në terren paraqitet si vijon: • Qarku Shkodër: Monitorohen 5 vatra aktive. • Qarku Lezhë: Vijon ndërhyrja në Shëngjin dhe Mal-Milot. • Qarku Vlorë: Mbeten aktive vatrat në Qesarat dhe Kopaçez. • Qarku Kukës: Puna për izolimin e flakëve vazhdon në fshatin Surroj.