Autoritetet franceze kanë urdhëruar evakuimin e 4 mijë personave shtesë nga qyteza bregdetare e Lacanau-s, në rajonin e Bordeaux-s, pasi kushtet atmosferike dhe rikthimi i të nxehtit përvëlues kanë shtuar rrezikun e përhapjes së flakëve. Që prej 22 korrikut, kur shpërthyen vatrat e para në veri të Arcachon-it, rreth 220 mijë banorë nga 23 bashki janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.
Sipas Prefekturës së Gironde-s, janë riaktivizuar vatra të reja zjarri, veçanërisht në zonat Lège/Grand Crohot, Marcheprime dhe Lège-Cap Ferret. Përballë kësaj situate, Météo-France ka shpallur alarmin portokalli për 16 departamente, përfshirë Gironde dhe Landes. Deri më tani, 93 zjarrfikës janë plagosur gjatë ndërhyrjeve për shuarjen e flakëve.
Pasojat ekonomike dhe mjedisore
Ndikimi në ekonominë vendase është i konsiderueshëm. Dhoma e Tregtisë bëri të ditur se rreth 14 500 biznese janë paralizuar, ndërsa Ministria franceze e Financave vlerëson se 130 mijë punonjës janë të pamundur të shkojnë në vendet e tyre të punës. Organizatat e bizneseve të vogla dhe sektorit të turizmit kanë kërkuar mbështetje emergjente nga qeveria.
Ekspertët e mjedisit theksojnë se dëmet në ekosisteme do të jenë afatgjata. Zjarret, që deri më tani kanë përfshirë 420 mijë hektarë vetëm në këtë zonë, kanë shkatërruar habitate të shumta, duke vënë në rrezik mbijetesën e llojeve të rralla të amfibëve, zvarranikëve dhe gjitarëve të vegjël. Restaurimi i plotë i zonave të karbonizuara pritet të zgjasë me vite.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka zhvilluar një vizitë në qendrën e menaxhimit të krizave, ku paralajmëroi se periudha në vijim do të jetë tejet sfiduese dhe kërkoi angazhim maksimal të të gjitha forcave në terren. Kjo ngjarje cilësohet si zjarri më shkatërrimtar në Francë që nga viti 1949.
Përditësime
Situata në Gironde mbetet kritike, me autoritetet që kanë identifikuar zona të reja me rrezik riaktivizimi në Arès, Le Temple dhe kampin ushtarak të Souge. Në komunën Le Porge, raportet e terrenit konfirmojnë shkatërrimin e 183 banesave. Për të dokumentuar intensitetin e flakëve, zjarrfikësit po përdorin kamera të integruara në syze inteligjente. Meteorologët parashikojnë përkeqësim të situatës: temperaturat pritet të arrijnë 41°C në brendësi dhe 38°C në bregdet, ndërsa erërat me shpejtësi deri në 45 km/h do të vështirësojnë ndjeshëm operacionet e kontrollit në orët në vijim.
Situata në Gironde mbetet kritike për shkak të zjarreve masive. Bilanci tragjik është rënduar me humbjen e jetës së 4 zjarrfikësve gjatë javëve të fundit, ndërsa numri i banesave të shkatërruara ka arritur në 240, nga 183 që ishte raportuar më parë. Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 2 mijë zjarrfikës. Ndërkohë, policia franceze ka arrestuar 184 persona nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme që nga fillimi i korrikut. Në Bordeaux, përkeqësimi i ndjeshëm i cilësisë së ajrit ka detyruar autoritetet të kërkojnë përdorimin e maskave dhe të pezullojnë aktivitetet tregtare në qendër të qytetit.
Kriza e zjarreve është zgjeruar përtej kufijve francezë, ku autoritetet spanjolle konfirmuan vdekjen e 14 personave. Ndërkohë, në zonën e Gironde, komandanti i zjarrfikësve Remi Lassoureille njoftoi stabilizimin e situatës, duke bërë të ditur se vatrat kryesore janë nën kontroll falë ndërhyrjes së vazhdueshme të ekipeve në terren.