Sokol Bizhga, ish-zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mori zyrtarisht kompetencat e drejtorit të përgjithshëm si i komanduar. Shkresa me numrin 70/y, e firmosur nga ministrja e Brendshme Albana Koçiu, iu dërgua atij në mesditë të 2 marsit 2026.
Emërimi erdhi pas shkarkimit të drejtorit të mëparshëm Ilir Proda, me arsyetimin se në protestën e Partisë Demokratike më 28 shkurt nuk u ruajt rendi dhe siguria publike. Ngjarja ndodhi kryesisht në Vila 31, ish-vilën e Enver Hoxhës, ku protestuesit hodhën molotovë e fishekzjarrë, ndërsa brenda godinës ndodheshin 7 artistë francezë.
Sokol Bizhga do të ushtrojë detyrën derisa pasuesi i Ilir Prodës të zgjidhet me konkurs. Për konkursin mund të garojnë personat me gradat Drejtues, Drejtues i Parë dhe Drejtues i Lartë në Policinë e Shtetit.
Me marrjen e kompetencave të reja, pritet që Bizhga të komunikojë shkarkimin nga detyra të drejtorit të Policisë së Tiranës, Elton Alushi, me të njëjtën arsye si Proda. Ligji për Policinë e Shtetit parashikon se drejtorët vendorë emërohen dhe shkarkohen vetëm nga drejtori i përgjithshëm.