Sondazhi i fundit i zhvilluar nga Eduard Zaloshnja për emisionin ‘Zëri i Shqiptarëve’ tregon se 32% e atyre që votuan brenda vendit për partitë ekzistuese janë të zhgënjyer prej tyre. Këta votues janë gati të mbështesin një parti të re, nëse krijohet.
Në këtë përqindje, 9% përbëhet nga socialistë të zhgënjyer, 12% nga ‘madhështorë’ të zhgënjyer dhe 11% nga votues të partive të vogla ekzistuese. Sipas autorit, historia elektorale ka treguar se socialistët e zhgënjyer në dimër zakonisht kthehen te partia e tyre në pranverë. Pjesërisht, ‘madhështorët’ e zhgënjyer rikthehen te vatrat e tyre, ndërsa votuesit e partive të vogla ose nuk votojnë ose mbështesin parti të reja fringe.
Në 35 vitet e pluralizmit, vetëm LSI ka qenë përcaktuese në balancat e pushtetit. Më 2005, ajo ndihmoi PD-në të marrë pushtetin pa u bërë pjesë e tij; më 2009, u bë pjesë e qeverisë së PD-së; më 2013, ndihmoi PS-në të marrë pushtetin duke u integruar në të. Më pas, LSI-ja u shua gradualisht.
Ndër partitë e krijuara si sfidë ndaj dy partive të mëdha, Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut arriti kuotën më të lartë në sondazhe me 14% në janar 2013, por përfundoi me vetëm 1% në zgjedhje për shkak të mungesës së organizimit në terren. Partitë e reja të fundit të hyra në Kuvend rezultojnë pothuajse të shuara në sondazhin e fundit.