Amarildo Nikollin, i ardhur nga Italia, u arrestua nga Policia e Vlorës në gusht 2023. Ai u kap i armatosur me pistoletë me silenciator dhe fishek në fole, në fazë të avancuar për kryerjen e një vrasjeje.
Fillimisht u hetua për armëmbajtje pa leje, por dosja iu kalua SPAK-ut, i cili e trajtoi si vrasje me paramendim të mbetur në tentativë, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Nikollin bashkëpunoi me autoritetet dhe dha deklarime të detajuara.
Sipas tij, personi i quajtur Nardi (ose Leonardi) i kishte dhënë porosi për të goditur dy banorë të Vlorës me nofkat 'Sakati' dhe 'Qorri'. Ky i fundit identifikohet si Ervis Matodashaj. Nikollin kishte ardhur në Vlorë që në qershor 2023 dhe u njoftua për vendet ku mund t'i gjente objektivat: Lungomare, 7 pallatet, Amous Lounge Beach, Oslo dhe një bar pranë gjykatës së rrethit.
Nardi solli në banesë dy persona, 'Biondin' (kushëririn e tij) dhe 'Fshatarin' (shokun). Për 'Qorrin' i dha një foto të dobët nga kamerat e sigurisë së një lokali, duke e përshkruar me sytë si pingpong. 'Sakati' karakterizohej me njërën këmbë të këputur. Arsyet lidheshin me biznesin dhe hasmërinë.
Pagesa ishte 250 mijë euro për secilin, total 500 mijë euro, të transferuara nga një person në Dubai. Këto elementë konfirmojnë nivelin e organizimit të atentatit.