SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Këshilli i Mandateve shtyu mbledhjen e paraparë për 28 janar, me arsyetimin se pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi pezullimin e saj nga detyra.
Deputeti socialist Erion Braçe, i pyetur nga gazetari Osman Stafa, u shpreh se nuk është anëtar i Këshillit të Mandateve dhe fokusohet te çështjet ekonomike. Ai theksoi se Belinda Balluku nuk ka imunitet për sa kohë po hetohet nga SPAK.
“Nuk ka imunitet sa kohë që duke u hetuar është pa imunitet. Është ngritur një akuzë për të, po hetohet dhe prezumohet e pafajshme deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës”, deklaroi ai. Për koordinimin e Këshillit, Braçe sugjeroi të pyesin kreun e Kuvendit.
Ai shprehu shqetësim për ndryshimet në Kodin Penal, të miratuara në seancën maratonë të parlamentit më 27 janar. “Dje nuk e votova, është ligj qesharak. Po dal në zonën time në lagje të shoh pikërisht këtë gjë”, tha deputeti, duke theksuar efektet e mundshme në ekonomi dhe lagje.