Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm të Altin Hajrit, pronar i kompleksit Golden në Shijak. Kërkesa u bë në seancën e enjte në Gjykatën e Posaçme, nga prokurorët Elida Kaçkini dhe Behar Dibra.
Hajri gjykohet në mungesë, pasi nuk ka gjurmë të tij pas shpalljes në kërkim nga policia. Prokurorët kanë pretenduar se provat vërtetojnë dyshimet se ai ka pasur dijeni për rrëmbimin dhe ka bashkëpunuar me autorët.
Ngjarja ndodhi në janar të vitit 2020, kur Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës, u dërgua në një resort në Shijak, u mbajt peng, u torturua dhe u zhduk. Trupi i tij nuk është gjetur ende.
Sipas hetimeve, rrëmbimi ishte hakmarrje për një sasi droge të humbur në Angli, ku përfshihej vëllai i viktimës, Ndrek Prenga. Dyshohet se porositari është Dritan Rexhepi, nga Ekuadori në atë kohë.
Në të njëjtën çështje, Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO) konfirmoi në vitin 2025 dënimin me burgim të përjetshëm të Festim Bexhdilit, kopshtar i resortit. Olsi Turja, kamerier i lokalit, u dënua me 3 vite burg për moskallëzim krimi.
Vijon gjykimi në proces të ndarë për Dritan Rexhepi, Korado Gështenja, Martin Bleta, Gentian Funiqi, Geraldo Martini, Aldo Majnishta dhe Artan Doçi.