Inez Hajrulla, i njohur si i forti i Vlorës, dhe Ervis Matodashaj i shpëtuan një operacioni të zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit nga SPAK në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Me urdhër të SPAK, forcat e RENEA-së, FNSH-së dhe BKH-së mësynë në banesën e Hajrullës, por ai nuk ishte i pranishëm. Matodashaj nuk u gjet po ashtu.
SPAK kishte lëshuar 7 urdhër-arrestë për persona të përfshirë në ngjarje kriminale. 2 prej tyre u vendosën në qeli, ndërsa 3 të tjerë janë arrestuar në Itali dhe Greqi. Hajrulla dhe Matodashaj ishin të vetmit që rezultonin në Shqipëri.
Hajrulla konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ka shpëtuar të paktën 3 atentate.
Atentati i 2017-ës
Në 2017, një shpërthim me lëndë eksplozive në automjetin e tij ndodhi pranë një lokali në Vlorë, të frekuentuar nga Edison Harizaj, i vrarë më vonë në Durrës. Emri i Hajrullës përmendet në hetimet për zhdukjen e Elvis Troqes në korrik të atij viti, ku një dëshmitar tha se Troqe do të takonte personin e njohur si “Ini”.
Atentati i 2019-ës
Në 2019, në zonën e Lungomares pranë kompleksit Oslo, Hajrulla ndodhej në një kafene me Matodashaj dhe dy persona të tjerë kur u qëllua me breshëri plumbash nga dy automjete. U plagos rastësisht Dajko Canodemaj. Policia dhe Prokuroria e Vlorës dyshojnë për 9 persona të përfshirë dhe larje hesape mes grupeve rivale. Fatmir Hyseni vijon të jetë në kërkim për këtë ngjarje dhe ekzekutimin e Santiago Malkos.
Atentati i 2023-ës
Në gusht 2023, Policia e Vlorës parandaloi një atentat. Amarildo Nikolli, 35-vjeçar, u arrestua në Ujin e Ftohtë me pistoletë silenciator, municione, doreza dhe kapuç. Shënjestër ishin Hajrulla dhe Matodashaj. Porositësi Leonard Luzi u ekstradua nga Spanja në korrik 2024 dhe u dënua me 11 vite burg nga Apeli i GJKKO-së bashkë me dy anëtarë të tjerë të grupit.