Prokuroria e Posaçme ka pezulluar hetimet mbi kallëzimin e depozituar nga Aishe dhe Muharrem Haklaj në lidhje me vrasjen e katër vëllezërve të familjes: Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj. Vendimi është marrë nga prokurorja Elida Kaçkini, e cila ka vendosur referimin e materialeve pranë Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera për hetime të mëtejshme dhe sigurimin e provave.
Kallëzuesit, përmes përfaqësuesit të tyre ligjor, avokatit Idajet Beqiri, kanë kundërshtuar këtë vendim duke bërë ankim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Gjyqtarja Etleva Deda është caktuar për të shqyrtuar kërkesën e familjes Haklaj, e cila kërkon vijimin e procesit hetimor mbi ngjarjet e ndodhura në Tropojë gjatë periudhës 1997–2002.
Në kallëzimin e tyre, familja Haklaj akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se ka urdhëruar vrasjet, si dhe ngre akuza ndaj 15 personave të tjerë për krijim të bandës së armatosur, organizatë kriminale, vrasje me paramendim dhe akte terroriste. Për këtë dosje, Aishe Haklaj ka dëshmuar më parë në SPAK për rreth 12 orë në prill të vitit 2023, duke paraqitur pretendimet e familjes për ngjarjet që nisën me vrasjen e Sokol Haklajt në vitin 1997 dhe vazhduan me atentate ndaj vëllezërve të tjerë ndër vite.