Spanja ndodhet në gjendje alarmi për shkak të një fushate të përhapur në rrjetet sociale, e cila u bën thirrje njerëzve të ndërmarrin një hyrje masive në enklavën e Ceutës më 15 gusht. Qendra Kombëtare e Inteligjencës (CNI) e Spanjës e konsideron këtë fushatë si "plotësisht të besueshme" dhe po monitoron aktivitetin në platforma si Facebook, WhatsApp, TikTok dhe Instagram. Autoritetet theksojnë se ekziston mundësia që organizatorët të ndryshojnë datën për të shfrytëzuar efektin e befasisë.
Sipas një vlerësimi të brendshëm të Garda Civile, grupet e lidhura me këto thirrje kanë gjithsej nga 400 mijë deri në 422.560 anëtarë, megjithëse autoritetet kërkojnë maturi në interpretimin e këtyre shifrave. Ndonëse nuk ka prova se pas kësaj fushate qëndron qeveria marokene apo ndonjë organizatë kriminale specifike, hetimet sugjerojnë një koordinim digjital. Rreziku i një përpjekjeje për kalim konsiderohet real, por përmasat e tij mbeten ende të paqarta.
Në zonë vazhdon të jetë në fuqi dislokimi i 4 mijë efektivëve të forcave të sigurisë, të cilët janë pozicionuar pas krizës së një jave më parë, ku raportohet se në enklavë hynë të paktën 72 mijë persona. Ministria e Brendshme e Spanjës ka deklaruar se disponon të gjitha burimet e nevojshme për t'u përballur me situatën dhe se kontingjenti mund të përforcohet nëse do të jetë e nevojshme.
Bashkëpunimi ndërkombëtar është forcuar gjithashtu, ku autoritetet spanjolle po mbështeten te ndihma e Marokut për të vendosur bllokada rrugore dhe kontrolle në zonën e Fnideq-ut. Edhe Komisioni Evropian po ndjek nga afër zhvillimet, duke koordinuar veprimet me platformat sociale për të menaxhuar informacionin që qarkullon dhe për të monitoruar hapësirën informative në prag të datës së përmendur.