Elisa Spiropali, ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka publikuar një mesazh në Facebook me rastin e Ditës së Evropës më 9 maj 2026.
Në postim, Spiropali thekson se për Shqipërinë dhe shqiptarët, Europa nuk është thjesht një destinacion politik, por një mënyrë për të dalë nga vetmia historike. Ajo shkruan: "Europa për ne nuk është një mal me letra, një pirg me dokumenta. Europa për ne është pjesë e një bote ku pushteti kufizohet nga ligji, ku dinjiteti i njeriut vlen më shumë se forca dhe ku shteti nuk është pronë e askujt".
Spiropali e përshkruan rrugën europiane si proces qytetërimi, jo vetëm negociata. Kjo rrugë ka qenë e gjatë, shpesh e padrejtë dhe zhgënjyese, por mbetet më e rëndësishmja dhe e vetmja e zgjedhur. Europa, sipas saj, nuk është perfekte, por vend i lodhjeve milenare për përsosje të pandërprerë, ku shoqëritë korrigjojnë veten në kërkim të lirisë.
Ajo përfundon duke e cilësuar si betejë me veten, që shqiptarët do ta fitojnë së shpejti, dhe uron "Gëzuar Ditën e Evropës".