Elisa Spiropali, ministre për Europën dhe Punët e Jashtme, deklaroi se viti 2026 është vendimtar për mbylljen e procesit teknik të negociatave me Bashkimin Europian brenda vitit 2027. Kjo u tha në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, të organizuar më 31 janar 2026 në Vlorë nga ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj.
Spiropali u bashkua në panel me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, dhe ambasadorin e Spanjës, Gabriel Ventura.
Ajo u ndal te rezultatet konkrete: në vetëm 13 muaj, nga tetori 2024 deri në nëntorin 2025, falë vizonit të qartë, pune ditëpërditshme dhe koordinimit politik-institucional, u hapën 33 kapituj të negocimit së bashku me Komisionin Europian dhe vendet anëtare.
Gjatë muajve të fundit u punua me ngulm për piketat e ndërmjetme të Themeloreve. Pak ditë më parë, Parlamenti miratoi paketën e fundit legjislative, duke dhënë peshë procesit për të kaluar në fazën e mbylljes së kapitujve.
Sipas Spiropalit, këto nuk janë vetëm tregues statistikorë, por sinjal se Shqipëria ka ndërtuar kapacitet për të ndjekur ritmin e BE-së dhe për të merituar bashkimin me të. Reformat prekin drejtësinë, administratën, luftën kundër korrupsionit, ekonominë dhe standardet. Ato zbatohen sepse Shqipëria ndërton shtet më të drejtë, institucione demokratike, ekonomi të hapur dhe mirëqenie për qytetarët.
“Integrimi nuk është më vetëm aspiratë, premtim apo slogan, por proces me rezultate të prekshme”, theksoi Spiropali, duke përmendur se Vlora është vendi ku historia kombëtare dhe gjeografia europiane takohen.