Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka zhvilluar një takim në Downing Street me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Në këtë takim, Starmer shprehu përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj aleatëve evropianë, duke e cilësuar aleancën si organizatën ushtarake më të suksesshme në botë. Diskutimet u përqendruan te forcimi i sigurisë kolektive, përpara samitit të liderëve që pritet të mbahet më 7 korrik.
Ndërkohë, në Britaninë e Madhe ka nisur një debat i gjerë lidhur me nivelin e financimeve për sektorin e mbrojtjes. Tensionet janë rritur pas dorëheqjes së ish-sekretarit të Mbrojtjes, John Healey. Në letrën e tij të largimit, Healey paralajmëroi se vendi është në rrugë për të shpenzuar vetëm 2.68% të PBB-së për mbrojtjen bazë deri në vitin 2030, duke vënë në pikëpyetje përmbushjen e objektivit të ri të NATO-s prej 3.5% deri në vitin 2035.
Sipas ish-sekretarit, plani i ri i investimeve, që pritet të publikohet gjatë kësaj jave, parashikon ndarjen e 13.5 miliardë paundëve si fonde shtesë. Megjithatë, kjo shumë është dukshëm më e ulët se 28 miliardë paundët që kishin kërkuar zyrtarët e lartë të sektorit të mbrojtjes për të garantuar mbulimin e nevojave strategjike të vendit.