Pas stuhisë së fuqishme që përfshiu Shkupin, autoritetet vendore kanë ndërmarrë masa urgjente për të përballuar situatën. Kryetari i qytetit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se Shtabi i Krizave i Qytetit të Shkupit është mobilizuar plotësisht dhe po koordinon operacionet e ndërhyrjes në terren.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet janë në koordinim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse për të reaguar ndaj çdo incidenti, duke përfshirë përmbytjet dhe dëmet materiale. Në këtë operacion janë përfshirë:
- Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK)
- Ministria e Punëve të Brendshme (MPB)
- Brigada e Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit
- Kompania e energjisë EVN
Ekipet e ndërmarrjeve publike do të qëndrojnë në gatishmëri gjatë gjithë natës për të ndërhyrë aty ku paraqitet nevoja. Kryetari Gjorgjievski u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për të minimizuar rreziqet nga pasojat e motit të lig.