Mbi 40 milionë banorë në verilindjen e Shteteve të Bashkuara, nga Maryland deri në Maine, po përballen me një stuhi dëbore me intensitet të rrallë, e cila ka paralizuar metropolin e Nju Jork City.
Sipas raportimeve, në qytetin Freehold të shtetit Nju Xhersi, rreth 50 kilometra nga Manhattan, trashësia e dëborës arriti në të paktën 60 centimetra. Në Central Park, niveli i dëborës shkoi në 40 centimetra, një rekord që nuk ishte regjistruar që nga viti 2021. Reshjet pritet të intensifikohen gjatë pasdites.
Gjendje e jashtëzakonshme në shtatë shtete
Guvernatorët e shteteve Connecticut, Delaware, Massachusetts, Nju Xhersi, Nju Jork, Pennsylvania dhe Rhode Island kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe kanë ndaluar qarkullimin e automjeteve. Shkollat, shërbimet publike dhe biznese të shumta janë mbyllur në Nju Jork dhe Boston, ndërsa selia e Kombeve të Bashkuara në Manhattan nuk ka funksionuar.
Transporti i pezulluar dhe fluturime të anuluar
Deri në orën 11:00 paradite janë anuluar mbi 5.800 fluturime, kryesisht në aeroportet e Nju Jorkut, Bostonit dhe Filadelfias. Linjat e transportit publik dhe hekurudhor janë pezulluar, veçanërisht në Nju Xhersi.
Mijëra pa energji elektrike
Rreth 660 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike, mes tyre 265 mijë në Massachusetts dhe 130 mijë në Nju Xhersi.
Në Manhattan, rrokaqiejt e Wall Street mezi dukeshin nga Brooklyn për shkak të reshjeve të dendura. Megjithatë, një pjesë e banorëve kanë vazhduar lëvizjen drejt punës me vonesa të konsiderueshme në metro.
Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka paralajmëruar se kjo mund të jetë stuhia më e fortë në dekadën e fundit dhe ka kërkuar nga qytetarët të qëndrojnë në shtëpi. Kryetarja e bashkisë së Bostonit, Michelle Wu, e ka cilësuar situatën si "me përmasa historike". Qendra pritjeje me ngrohje janë hapur në Nju Jork, Filadelfia dhe Boston për personat në nevojë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për kushte të vështira.