Një zjarrfikës portugez 46-vjeçar humbi jetën sot gjatë një patrullimi për njohje dhe monitorim në zonën Campo Maior të qarkut Portalegre. Ai u mor nga rrjedha e ujit teksa përpiqej të kalonte një zonë të përmbytur në brigjet e një lumi, njoftoi Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes Civile të Portugalisë. Ky është viktima e parë e stuhisë “Marta”, e cila goditi sot Portugalinë dhe Spanjën.
Java e fundit ka qenë veçanërisht e rëndë për Portugalinë. Stuhia “Christine” shkaktoi vdekjen e pesë personave nga erërat e forta, ndërsa stuhia “Leonardo” solli një tjetër viktimë të mërkurën nga reshjet intensive.
Situata në Spanjë
Në Andaluzinë jugore të Spanjës, rajoni është vendosur në alarm portokalli për shkak të reshjeve të dendura dhe erërave të forta, sipas shërbimit meteorologjik AEMET. Tokat janë të ngopura nga reshjet e mëparshme dhe rrezikojnë përmbytje të mëdha.
Presidenti i Andaluzisë, Juan Manuel Moreno, e cilësoi situatën si “jashtëzakonisht të ndërlikuar”. Dhjetëra rrugë janë bllokuar, qarkullimi hekurudhor është ndërprerë në shumë segmente dhe mbi 11 mijë persona janë evakuuar nga banesat e tyre.
Autoritetet paralajmërojnë se dëmet ekonomike nga stuhitë “Leonardo” dhe “Marta” pritet të arrijnë miliona euro, kryesisht në bujqësi dhe infrastrukturën rrugore. Rajoni i Andaluzisë planifikon të kërkojë ndihmë nga qeveria qendrore spanjolle dhe Fondi i Solidaritetit i Bashkimit Evropian.