Baza ajrore britanike RAF Akrotiri në Qipro u bë objekt i një sulmi me dron mbrëmjen e së hënës, siç deklaroi kryeministri Keir Starmer gjatë një fjalimi në Parlamentin britanik.
Starmer theksoi se bazat britanike në Qipro nuk përdoren nga avionë bombardues amerikanë dhe se sulmi nuk lidhet me vendimin e Mbretërisë së Bashkuar. Ai sqaroi se vendi i tij nuk mori pjesë në sulmet fillestare amerikano-izraelite ndaj Iranit, duke e cilësuar këtë si vendim të qëllimshëm. Sipas tij, rruga më e mirë është një marrëveshje e negociuar, ku Irani të heqë dorë nga ambiciet bërthamore dhe aktivitetet destabilizuese në rajon.
Kryeministri britanik pranoi se presidenti amerikan Donald Trump shprehu mospajtimin dhe zhgënjimin me qëndrimin e Londrës për moslejuarjen e përdorimit të bazave si RAF Akrotiri apo Diego Garcia për sulme. Megjithatë, Starmer nënvizoi se vendos në përputhje me interesat kombëtare të Britanisë dhe se avionët britanikë angazhohen vetëm për mbrojtje. Ai përmendi se forcat ajrore britanike ndaluan një dron iranian drejt një baze koalicioni në Irak.
Starmer vuri në dukje se Irani ka lëshuar qindra raketa dhe mijëra dronë ndaj vendeve që nuk e kanë sulmuar, duke goditur aeroporte dhe hotele ku qëndrojnë shtetas britanikë. Rreth 300 mijë shtetas britanikë ndodhen në rajon, përfshirë rezidentë dhe pushues. Ai cilësoi këto sulme si jashtëzakonisht shqetësuese për Parlamentin dhe vendin.
Ministri i Mbrojtjes John Healey deklaroi se dëmet në RAF Akrotiri ishin minimale, por familjet e stafit u zhvendosën përkohësisht në zona të tjera të Qipros për siguri. Qeveria britanike po ndihmon qytetarët e bllokuar nga mbyllja e hapësirës ajrore për t’u kthyer në atdhe, ndërsa Ministria e Jashtme dërgon ekipe në Emiratet e Bashkuara Arabe.