Një sulm me dronë i ndërmarrë nga forcat e armatosura ruse ka goditur fshatin Lebyazhe, në distriktin Chuhuiv të rajonit të Kharkivit në Ukrainë, gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes. Sipas guvernatorit rajonal, Oleg Synegubov, në këtë sulm janë përdorur gjashtë dronë.
Nga ky sulm kanë humbur jetën një burrë 73-vjeçar dhe një grua 66-vjeçare. Po ashtu, kanë mbetur të plagosur një burrë 41-vjeçar dhe një grua 73-vjeçare, të cilët kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Sulmi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në zonë. Guvernatori Synegubov njoftoi se janë regjistruar zjarre në pesë banesa private, ku tre prej tyre janë shkatërruar plotësisht. Në total, raportohet se janë dëmtuar rreth 20 banesa private, përfshirë edhe tri ndërtesa ndihmëse. Autoritetet lokale dhe shërbimet e emergjencës janë angazhuar në terren për menaxhimin e situatës dhe ofrimin e ndihmës së parë.