Të paktën 6 civilë kanë humbur jetën dhe 37 të tjerë janë plagosur pas një sulmi me raketa të kryer nga Ukraina në rajonin rus të Brjanskut. Guvernatori lokal, Aleksandr Bogomaz, bëri të ditur numrin e viktimave dhe dëmet e shkaktuara.
Raketat goditën një fabrikë të pajisjeve mikroelektronike, duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha në objekt. Pajisjet që prodhohen në këtë fabrikë përdoren nga forcat e armatosura ruse, çka e bën atë një objektiv strategjik.
Autoritetet ruse e kanë cilësuar sulmin si një goditje të rëndë, jo vetëm për shkak të humbjeve në njerëz, por edhe për ndikimin në sektorin ushtarak. Ngjarja konsiderohet gjithashtu një goditje për moralin e ushtrisë dhe opinionin publik në Rusi, ndërsa lufta mes dy vendeve vazhdon me sulme të ndërsjella në territor.