Një mjek është sulmuar fizikisht dhe kanosur në vendin e tij të punës, në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Pozharan, e cila funksionon në kuadër të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti. Rasti ka ndodhur gjatë orarit të kujdestarisë së natës, ndërsa mjeku, i identifikuar me inicialet A.Ç., ishte duke ushtruar detyrën e tij profesionale.
Komuna e Vitisë, së bashku me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, kanë reaguar zyrtarisht duke e dënuar këtë ngjarje si një akt të papranueshëm. Sipas institucioneve komunale, ky sulm përbën një cenim serioz të sigurisë, dinjitetit dhe integritetit të punonjësve shëndetësorë. Në njoftimin e tyre, autoritetet theksuan se asnjë pakënaqësi apo mosmarrëveshje nuk mund të justifikojë dhunën ndaj mjekëve, infermierëve apo profesionistëve të tjerë të shëndetit.
Komuna ka shprehur shqetësim për faktin se sulme të tilla ndaj personelit shëndetësor po përsëriten, duke kërkuar reagim institucional të menjëhershëm. Sipas autoriteteve, rasti është paraqitur te organet kompetente të sigurisë, të cilat pritet të ndërmarrin masat e parapara me ligj ndaj personave përgjegjës. Gjithashtu, institucionet komunale janë zotuar se do të shqyrtojnë të gjitha mundësitë ligjore për të siguruar një ambient më të mbrojtur për profesionistët shëndetësorë gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në sektorin publik.