Java e pestë e Albi Mall Superligës së Kosovës vijon sot, të mërkurën, me dy përballje të rëndësishme për klasifikimin e skuadrave në këtë fillim sezoni.
Në stadiumin e Drenasit, Feronikeli do të presë Dritën në ndeshjen që nis në orën 16:00. Skuadra vendase kërkon pikët e para këtë sezon, pasi ka pësuar katër humbje në katër ndeshjet e zhvilluara deri më tani. Nga ana tjetër, Drita udhëton me një bilanc prej dy fitoreve dhe një barazimi nga tri ndeshje, pasi takimi i tyre kundër Prishtinës është shtyrë.
Në mbrëmje, vëmendja do të përqendrohet në qytetin e Gjilanit, ku do të zhvillohet derbi mes Gjilanit dhe Ballkanit. Ky takim pritet të nisë në orën 19:00 dhe do të luhet nën ndriçimin e reflektorëve. Gjilani vjen në këtë sfidë me një bilanc prej dy fitoreve, një barazimi dhe një humbjeje në katër ndeshje. Ndërkaq, Ballkani synon të vazhdojë formën e mirë pas tri fitoreve radhazi, të arritura pas humbjes në ndeshjen hapëse të kampionatit kundër Prishtinës.
Përditësime
Renditja aktuale në tabelë shton presionin mbi skuadrat në garë për kreun. Aktualisht, Ballkani mban vendin e tretë me 9 pikë, ndërsa Drita renditet e pesta dhe Gjilani i gjashti, të dyja me nga 7 pikë secila.
Klubet kanë publikuar formacionet zyrtare për derbin mes Gjilanit dhe Ballkanit. Gjilani hyn në këtë përballje pas një ecurie negative, pasi nuk ka shënuar fitore në dy ndeshjet e fundit kampionale.