Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër ndaj dhunës së ushtruar gjatë protestës së zhvilluar më 10 shkurt 2026.
Në një postim në Facebook, ajo e ka cilësuar dhunën ndaj protestuesve paqësorë, gazetarëve dhe deputetit Bledion Nallbati si përtej çdo kufiri të lejuar në një shoqëri demokratike.
Sipas Tabakut, përdorimi i forcës për të shtypur protestën kundër korrupsionit dhe për të frikësuar qytetarët tregon se regjimi ka humbur lidhjen me parimet demokratike. Ajo thekson se goditja e protestuesve paqësorë, pengimi i gazetarëve në kryerjen e detyrës dhe ushtrimi i forcës ndaj një deputeti të zgjedhur ndodhin vetëm në autokraci, jo në një vend që pretendon të ecë drejt Bashkimit Europian.
Postimi i plotë në Facebook:
"Dhuna e ushtruar sot ndaj protestuesve, ndaj gazetarëve dhe ndaj një deputeti të Kuvendit, kolegut Nallbati, është përtej çdo kufiri të lejuar në një shoqëri demokratike. Dhuna si mjet për të mbytur protestën dhe për të frikësuar qytetarët që ngrihen kundër korrupsionit është shenjë e qartë e një regjimi që ka humbur çdo lidhje me demokracinë. Goditja e protestuesve paqësorë, pengimi i gazetarëve në kryerjen e detyrës dhe ushtrimi i forcës ndaj një deputeti të zgjedhur janë akte që ndodhin vetëm në autokraci – jo në një vend që pretendon të ecë drejt Bashkimit Europian."