Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, reagoi për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ajo theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk matet me numrin e ligjeve të miratuara formalisht në Kuvend, por me standardet reale që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.
Sipas Tabakut, integrimi nënkupton arsim cilësor, shëndetësi më të mirë, siguri ushqimore, ekonomi funksionale dhe infrastrukturë sipas standardeve të BE-së. Në këto fusha, sipas saj, Shqipëria mbetet ende larg.
Ajo iu referua deklaratës së kryeministrit Edi Rama për kërkesën e një periudhe ndërmjetme për sigurinë ushqimore. «Vetëm për sigurinë ushqimore janë kërkuar të paktën 5 vite shtesë për përmbushjen e standardeve. Për infrastrukturën nevojiten rreth 15 vite investime, ndërsa për ekonominë një dekadë e plotë», u shpreh Tabaku.
Tabaku theksoi se qeveria ka kërkuar në total rreth 15 periudha ndërmjetme nga Brukseli, çka tregon mungesën e gatishmërisë për anëtarësim. «Këto nuk janë detyrime të reja. Janë të njohura prej vitesh, por të injoruara nga qeveria gjatë 12 viteve të fundit», deklaroi ajo.
«Europa nuk është në letra dhe raporte. Është në cilësi dhe standarde, të cilat fatkeqësisht ende nuk i kemi arritur dhe me këtë ritëm rrezikojmë të mos i arrijmë», përfundoi Tabaku.