Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), shkroi në Facebook se e mërkura ishte ditë dinamike dhe dëshmi se institucionet po funksionojnë në frymën e përgatitjeve për zgjedhje.
Sipas tij, në Kryesinë e Kuvendit qasja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes (VV) ishte e ngurtë, pasi çdo iniciativë e opozitës po refuzohet. Ai përmendi se rezoluta për vlerat e lirisë nuk u fut në rend dite si pikë e parë, qëndrim që e cilësoi si dëshmi të standardeve të dyfishta dhe reflektim i kalkulimeve elektorale.
Tahiri theksoi se kjo mungesë vullneti nuk është rastësi, por pjesë e pozicionimit politik. Kur i sheh bashkë bllokadat, refuzimet dhe vonesat, fokusi nuk është më vendimmarrja, por pozicionimi politik.
Ndërkohë, proceset formale vazhdojnë. Intervistimi për Gjykatën Kushtetuese përfundoi me 6 emra për seancë. Në Komisionin për Legjislacion u vendos që të martën të intervistohen 23 kandidatë për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK).
"Era e zgjedhjeve po ndihet qartë", përfundoi Tahiri.