Sot në Washington mbahet takimi inaugurues i Bordit të Paqes, një strukturë e re ndërkombëtare ku marrin pjesë 26 vende, mes të cilave Shqipëria dhe Kosova. Takimin e kryeson Donald Trump, i cili do të flasë në Institutin Amerikan të Paqes Donald J. Trump.
Shqipëria ratifikoi aderimin në Kuvend me 110 vota pro, pas ftesës së kryeministrit Edi Rama nga Donald Trump. Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përfaqësoi vendin në Davos, ku nënshkroi dokumentin themelues si vend anëtar dhe bashkëthemelues.
Osmani vlerësoi përfshirjen e Kosovës si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme në vitet e fundit. Ajo theksoi se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. "Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, dhe me Bordin e Paqes për të sjellë rezultate konkrete, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konfliktet dhe për të promovuar një të ardhme të bazuar në bashkëpunim, siguri dhe prosperitet të përbashkët", deklaroi ajo.
Takimi pritet të përfshijë përfaqësues nga më shumë se 45 vende dhe do të trajtojë çështje të pazgjidhura për të ardhmen e Gazës. Midis temave kryesore janë çarmatimi i militantëve të Hamasit, madhësia e fondit të rindërtimit dhe rrjedha e ndihmës humanitare për popullsinë e Gazës së shkatërruar nga lufta, sipas Reuters.
Trump do të njoftojë se vendet pjesëmarrëse kanë mbledhur 5 miliardë dollarë për fondin e rindërtimit, çka do të vërë në provë efektivitetin e bordit në javët dhe muajt e ardhshëm.
Përditësime
- Presidentja Vjosa Osmani merr pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Institutit Amerikan të Paqes në Washington.
- Instituti Amerikan i Paqes u emërtua Donald J. Trump së fundmi nga presidenti.