Taulant Balla, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, depozitoi më 13 mars 2025, në Kuvendin e Shqipërisë një projekt-rezolutë për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe si shtet që përdor mjete terroriste.
Projekt-rezoluta parashikon gjithashtu shpalljen e Garda Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste. Përmes saj, u bëhet thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.
Nismëtarët shprehin shpresën që rezoluta të marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit. Pas miratimit, ajo do t’i përcillet Qeverisë shqiptare, qeverive aleate, Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.
Në një deklaratë, Taulant Balla tha: «Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kam depozituar sot një projekt-rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë ‘Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste’, si dhe të shpallet menjëherë Garda Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste. Përmes kësaj rezolute ne i bëjmë thirrje vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të Shqipërisë që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve».