Të paktën 28 persona u vranë të dielën në një sulm me dron në një treg në zonën Al-Safiya, në komunitetin Sondari të Kordofanit të Veriut, në Sudanin qendror. Sulmi ndodhi në mbrëmje, ndërsa një turmë e madhe, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, ishte mbledhur në treg.
Organizata joqeveritare Emergency Lawyers, e cila dokumenton luftën në vend, tha se mjete ajrore pa pilot bombarduan zonën, duke vrarë 28 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. OJQ-ja nuk specifikoi se cilës palë i përkisnin dronët. Sondari ndodhet rreth 230 kilometra nga El Obeid, kryeqyteti i shtetit të Kordofanit Jugor, të cilin Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (SDF) ka përpjekur ta rrethojë prej muajsh. Tregu ndodhet në një zonë të kontrolluar nga SDF.
Kordofani, një rajon i madh, pjellor dhe i pasur me naftë në jug të Khartumit, është në qendër të luftimeve midis ushtrisë së rregullt dhe SDF. Që nga prilli i vitit 2023, dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë dhe të paktën 14 milionë janë zhvendosur brenda Sudanit ose jashtë kufijve. Kjo situatë ka krijuar atë që OKB-ja e përshkruan si krizën më të keqe humanitare në botë.
Së fundmi, SDF pushtoi qytetin El Fasher, bastionin e fundit të ushtrisë në Darfur, dhe po përparon në Kordofan për të marrë kontrollin e rrugës kryesore që lidh Darfurin me Khartumin. Emergency Lawyers paralajmëron se numri i viktimave në sulmin e fundit është i përkohshëm dhe mund të rritet.