Zyrtarë ukrainas kanë njoftuar se të paktën tre persona u vranë nga sulmet ruse gjatë natës së 8 shkurtit, që goditën ndërtesa banimi në qytetin lindor Kramatorsk. Sulmet përfshinë bomba të rënda, armë që Rusia i ka përdorur për të shkatërruar pozicione ukrainase në vijën e frontit dhe zona të banuara. Gati 20 persona u plagosën në sulmet e orëve të para të mëngjesit, sipas Policisë Kombëtare.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia lëshoi më shumë se 400 dronë dhe raketa në lokacione të ndryshme nëpër Ukrainë. Në një postim në Telegram, ai tha se armët ruse vazhdojnë të pajisen me pjesë dhe komponentë të importuar nga jashtë, ndërsa njoftoi masa të reja që synojnë ndërprerjen e furnizimeve me këto pjesë.
Rëndësia strategjike
Kramatorsk dhe Sloviansk janë dy qytetet kryesore që Ukraina ende i kontrollon në rajonin lindor të Donjeckut. Të dy konsiderohen qytete-fortesa, thelbësore për mbrojtjen ukrainase në këtë zonë. Rusia e ka bërë kapjen e gjithë rajonit të Donjeckut një prioritet strategjik, siç e ka theksuar në bisedimet e vazhdueshme të paqes të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.
Sulme gjatë dimrit
Gjatë gjithë këtij dimri, Rusia ka shënjestruar banesa civile në të gjithë Ukrainën, rrjetin energjetik dhe objektet e ngrohjes. Miliona banorë në kryeqytetin Kiev dhe qytete të tjera përballen me ndërprerje të energjisë elektrike ose ngrohjes, ndërsa të ftohtit e ka mbërthyer vendin për javë të tëra.
Kompania shtetëtore Naftogaz raportoi se objektet e saj në rajonin lindor të Poltavës u goditën gjatë natës. "Kjo ishte sulmi i 19-të i synuar rus ndaj objekteve të Naftogaz që nga fillimi i vitit", tha kompania.
Sulme ajrore goditën gjithashtu qytetet e Hersonit dhe Odesas. Qeveria ukrainase urdhëroi ndërprerje emergjente të energjisë elektrike në mbarë vendin më 7 shkurt.