Tedi Blushi, sekretar i përgjithshëm dhe deputet i Partisë së Lirisë, deklaroi pak orë para protestës së thirrur nga opozita në bulevardin Dëshmorët e Kombit para Kryeministrisë në Tiranë. Sipas tij, 24 janari është dita e revoltës, zemërimit, guximit, llogaridhënies dhe triumfit të lirisë ndaj asaj që e quajti "narko-regjim".
Blushi u bëri thirrje shqiptarëve të lirë, të ndershëm dhe patriotë të bashkohen në protestë në orën 17:00, pasi durimit të tyre i ka ardhur fundi. Ai e përshkroi datën si moment historik dhe pikë kthese në përpjekjen popullore për të përmbysur organizatën që, sipas tij, ka marrë peng shtetin, institucionet dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Në deklaratën e tij, Blushi theksoi se zëri i shqiptarëve të lodhur nga varfëria dhe të zemëruar nga hajdutëria, arroganca, mashtrimi dhe dhuna do të dëgjohet fort. Ai akuzoi qeverinë se drejtohet me kode mafioze, nuk njeh ligj apo Kushtetutë dhe ka siguruar pandëshkueshmëri përmes drejtësisë së kapur.
Blushi u drejtua qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë për t’i treguar Edi Ramës se regjimi i tij është i mbaruar. Sipas tij, populli më i varfër i Europës nuk meriton të zhvatohet nga taksat dhe pronat, ndërsa vendi është shndërruar në gulak me të burgosur politikë dhe zgjedhje të vjedhura. Ai ftoi të rinjtë dhe çdo shqiptar të bashkohen në uraganin e lirisë kundër asaj që e quajti bandë.