Në Vlorë u krijuan tensione pas përfundimit të ndeshjes midis Flamurtarit Vlorë dhe KF Elbasani, e fituar me rezultatin 1-2 nga skuadra elbasanase.
Menjëherë pas mbylljes së takimit, disa tifozë u përplasën me forcat e policisë fillimisht në zonën përreth stadiumit dhe më pas pranë dhomave të zhveshjes. Efektivë të shumtë policorë ndërhynë në vendngjarje për të vënë situatën nën kontroll, por tensionet vazhduan për një kohë.
Kjo humbje e thellon më tej pozicionin e vështirë të Flamurtarit Vlorë në fund të tabelës së klasifikimit. Nga ana tjetër, fitorja është e rëndësishme për KF Elbasani, i cili mbetet mes skuadrave kryesuese në kampionat.
Përditësime
Musta, kapiteni i Elbasanit, u përplas me stafin dhe lojtarët e Flamurtarit në hollin e stadiumit, duke çuar në dhunë fizike.
Përplasjet u zgjeruan duke përfshirë tifozët, ku ata të Flamurtarit hodhën sende dhe fishekzjarrë ndaj atyre të Elbasanit.
Alfred Ferko, drejtor i Flamurtarit, ndërhyri për të ulur tensionet.
Ekipi i Elbasanit u largua më vonë se zakonisht dhe u shoqërua nga policia deri në Levan dhe daljen e Lushnjës.