Një debat i ri është hapur mes Greqisë dhe Turqisë për çështjet e Egjeut, pas miratimit nga ana e Athinës të një plani për zhvillimin e industrisë dhe ngritjen e qendrave të furnizimit në territorin grek. Dokumenti, i cili hyri në fuqi më 28 gusht, përcakton zonat ku lejohen aktivitetet industriale, strukturat e biznesit, si dhe kushtet mjedisore që duhet të zbatohen.
Ministria e Jashtme e Turqisë deklaroi se masat e ndërmarra nga Greqia nuk prodhojnë efekte juridike, duke përsëritur pretendimin se në Egje ekzistojnë ishuj dhe formacione gjeografike, sovraniteti mbi të cilat nuk i është transferuar palës greke përmes traktateve ndërkombëtare. Në reagimin e saj, Ministria e Jashtme e Greqisë i cilësoi këto pretendime si të pabazuara dhe të papranueshme, duke argumentuar se përsëritja e tyre nuk krijon vlefshmëri ligjore.
Sipas qeverisë greke, ky plan nuk ka karakter ushtarak dhe nuk sjell ndryshim të kufijve, por shërben si një instrument urbanistik për zhvillimin ekonomik. Në qytete si Athina dhe Selaniku parashikohet kufizimi i ndërtimit të fabrikave jashtë zonave industriale të organizuara, ndërsa për ishujt janë vendosur rregulla specifike për mbrojtjen e mjedisit dhe menaxhimin e hapësirës. Turqia, nga ana e saj, thekson se përfshirja e zonave të caktuara në dokumentet greke nuk shërben si provë juridike e sovranitetit.
Megjithë përplasjen e ashpër retorike, Ankaraja shprehu gatishmërinë për bashkëpunim, duke nënvizuar se vijon të mbështesë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në përputhje me Deklaratën e Athinës të dhjetorit 2023. Tensionet e fundit pasojnë një përplasje të mëparshme mes dy vendeve, e cila kishte në fokus planet greke për energjinë e rinovueshme dhe ndërtimin e parqeve detare në Egje.