Banesa e futbollistit francez Benjamin Pavard në Marsejë është bërë objekt i një tentative grabitjeje mbrëmjen e së mërkurës. Pesë persona kanë hyrë në oborrin e shtëpisë, por janë vërejtur nga bashkëshortja e lojtarit, modelja me origjinë shqiptare Kleofina Pnishi.
Pnishi ka njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës. Të dyshuarit janë larguar me shpejtësi me një automjet tip Mercedes, por policia franceze ka lokalizuar makinën brenda pak minutash dhe ka ndaluar të pesë personat.
Personat e ndaluar janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e incidentit dhe për të verifikuar nëse të arrestuarit kanë lidhje me raste të tjera të ngjashme. Nuk është raportuar për të lënduar gjatë ngjarjes.
Ende nuk është konfirmuar nëse Pavard ndodhej në banesë në momentin e incidentit. Të arrestuarit janë të moshës 25-26 vjeç dhe kishin udhëtuar nga rajoni Île-de-France.