Eventi i arteve marciale të përziera (UFC) i mbajtur në Beograd është shoqëruar me incidente dhe tension të lartë gjatë përballjes ndërmjet sportistit amerikan me origjinë shqiptare, Dennis Buzukja, dhe atij slloven, Bogdan Grad. Atmosfera u rëndua në momentin kur Buzukja hyri në arenë duke mbajtur flamurin shqiptar. Një pjesë e tifozëve të pranishëm në tribuna reagoi me thirrje raciste dhe slogane urrejtjeje, duke përfshirë thirrjet “Vrisni, vrisni shqiptarët”. Sipas raportimeve të mediave në vendngjarje, në ambientet e Beograd Arena u dëgjuan gjithashtu slogane si “Kosova është Serbi”.
Pavarësisht situatës së tensionuar në tribuna, dueli u zhvillua deri në fund. Pas përfundimit të ndeshjes në kategorinë featherweight, fitorja iu dha Bogdan Gradit pas një ndërprerjeje kontroverse në rundin e dytë. Vendimi u shoqërua me pakënaqësi nga ana e Buzukjas, i cili protestoi ndaj gjyqtarit, duke pretenduar se lëvizja e tij nuk përbënte dorëzim. Pamjet e hyrjes së sportistit dhe reagimet nga tribunat janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke rikthyer debatin mbi gjuhën e urrejtjes në ngjarjet sportive ndërkombëtare.