Ngjarja e rëndë ndodhi në Partiniko, në provincën e Palermos, ku dy anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën në garazhin e banesës së tyre. Viktimat janë identifikuar si Rosalia La Manna, 37 vjeçe, dhe i biri, Vincenzo Troia, 21 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, tragjedia dyshohet se ka ndodhur gjatë përpjekjes për të nxjerrë disa rrjeta për mbledhjen e ullinjve, të cilat familja i kishte ruajtur në dy depozita nëntokësore për rreth një vit. Hetuesit vlerësojnë se dekompozimi i materialeve organike ka shkaktuar prodhimin dhe grumbullimin e sasive të mëdha të dioksidit të karbonit, duke krijuar një ambient vdekjeprurës me mungesë të oksigjenit.
Skenari i ndërtuar nga hetuesit tregon se 21-vjeçari zbriti fillimisht në depozitë për të marrë rrjetat. Kur ai nuk u kthye, nëna e tij, Rosalia La Manna, dyshohet se ka zbritur për ta kontrolluar, por ka mbetur edhe ajo e bllokuar. Trupat e tyre u gjetën më pas në ambientet e garazhit.
Në vendngjarje ndërhynë ekipet e specializuara të zjarrfikësve, të njohur si njësia NBCR, të cilët u pajisën me bombola oksigjeni për shkak të përqendrimit të rrezikshëm të gazit. Karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse mënyra e ruajtjes së këtyre materialeve bujqësore ishte në përputhje me kushtet e sigurisë.
Përditësime
Autoritetet zbardhën detaje mbi viktimat e tragjedisë në Partiniko, duke konfirmuar se Rosalia La Manna ishte pronarja e biznesit bujqësor ku ndodhi ngjarja. Kryebashkiaku i Partinicos, Pietro Rao, reagoi pas ngjarjes duke shprehur ngushëllimet publike për familjen e prekur.