Trajneri i Espanyolit, Manolo González, ka kërkuar nga lojtarët e tij kujdes të veçantë ndaj sulmuesit Vedat Muriqi të Mallorcës në ndeshjen e xhiros së 28-të të La Ligës.
Dueli zhvillohet të dielën në orën 14:00 në stadionin Son Moix, ku Espanyoli është mysafir i Mallorcës.
Në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, González e cilësoi Muriqin si lojtarin më të rrezikshëm të kundërshtarit. "Ai është lojtar shumë i fuqishëm. Ka pasur paraqitje shumë të mira tash e disa vjet", deklaroi trajneri spanjoll.
Ai theksoi vështirësinë për ta mbuluar sulmuesin kosovar, edhe pas studimit të lëvizjeve të tij. "Është njësoj sikur me Messin: e dije se do të driblonte nga e majta dhe ai sërish ia dilte. Duhet ta mbajmë atë larg portës sa më shumë që mundemi, sepse ai është në gjendje të shënojë gola nga çdo pozicion", u shpreh González.
Vedat Muriqi, 31 vjeç, ka shënuar 18 gola në La Ligë këtë sezon, duke u renditur i dyti në listën e golashënuesve, pas Kylian Mbappés me pesë gola më shumë. Sulmuesi i kombëtares së Kosovës ka arritur suksese të rëndësishme dhe ka thyer rekorde te Mallorca në këtë edicion.