Një gjykatë në Meksikë dënoi tre burra meksikanë me nga 158 vjet e 9 muaj burg për vrasjen e dy vëllezërve australianë dhe mikut të tyre amerikan, në prill 2024. Ngjarja ndodhi në një plazh të izoluar në Ensenada, në shtetin e Baja California, ku të rinjtë kishin shkuar për të bërë surf dhe për të kaluar natën në kamping.
Viktimat ishin vëllezërit australianë Jake Robinson, 30 vjeç, dhe Callum Robinson, 33 vjeç, si dhe miku i tyre amerikan Carter Rhodes, 30 vjeç. Trupat e tyre u gjetën disa ditë pas zhdukjes, me plagë plumbash në kokë, brenda një pusi të largët.
Sipas autoriteteve, të pandehurit dyshohet se i sulmuan turistët gjatë një përpjekjeje për t’u marrë automjetin. Pas vrasjes, trupat u hodhën në pus. Të tre të pandehurit, të gjithë shtetas meksikanë, u shpallën fajtorë më 9 tetor. Prokuroria kishte kërkuar 210 vjet burg për secilin, duke argumentuar se viktimat u sulmuan në befasi dhe u vranë të pambrojtur, pa mundësi për të rezistuar. Gjatë gjyqit, prokurorët thanë gjithashtu se njëri prej të pandehurve ishte mburrur pas krimit se kishte në zotërim sendet e viktimave. Gjykata vendosi dënimin me nga 158 vjet e 9 muaj burg për secilin.
Siguria në Baja California
Baja California renditet ndër shtetet me nivele të larta dhune në Meksikë, ku veprojnë grupe të krimit të organizuar dhe rrjete të trafikut të drogës. Sipas burimeve, turistët e huaj rrallë janë shënjestër e karteleve. Vrasja e tre të rinjve riktheu vëmendjen te siguria e udhëtarëve në rajon.