Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partnerët më të mëdhenj tregtarë të njëri-tjetrit. Në vitin 2024, shkëmbimet në mallra arritën mbi 975 miliardë dollarë amerikanë, e barabartë me 867 miliardë euro, ndërsa duke përfshirë shërbimet, vëllimi total ishte 1.68 trilion euro, sipas Këshillit Evropian. Të dyja palët bashkë përfaqësojnë mbi 40% të prodhimit ekonomik global dhe pothuajse një të tretën e tregtisë botërore.
Presidenti Donald Trump e sheh ekonominë amerikane në disavantazh dhe dëshiron të ulë deficitin tregtar përmes tarifave. SHBA-ja ka deficit të madh në mallra me BE-në, i cili u rrit nga 156 miliardë euro në 2023 në 197 miliardë euro në 2024. Deficiti global i SHBA-së në mallra me botën është rreth 1 trilion euro, sipas Byrosë së Regjistrimit të SHBA-së.
Sektorët kryesorë
• BE-ja gjeneron suficite të mëdha në automobilët dhe farmaceutikën.
• SHBA-ja ka suficite vetëm në naftë, gaz dhe qymyr.
Në tregtinë e shërbimeve, SHBA-ja regjistron suficit të konsiderueshëm prej 148 miliardë eurosh, falë gjigantëve të teknologjisë si Apple, Amazon, Microsoft, Meta dhe Google, si dhe shërbimeve financiare e IT-së. Kur merren parasysh mallrat dhe shërbimet së bashku, deficiti i SHBA-së zvogëlohet në rreth 50 miliardë euro.
Varësia e ndërsjellë
BE-ja është treg kyç për eksportet amerikane të gazit natyror të lëngshëm (LNG), veçanërisht pas luftës në Ukrainë. SHBA-ja varet nga tregu evropian për produkte bujqësore si soja dhe nga kreditorët europianë për financimin e borxhit publik, ku ata mbajnë pothuajse gjysmën e pjesës së financuar nga jashtë. Kundërtarifat e BE-së mund të dëmtojnë fermerët amerikanë, ndërsa Europa ka alternativa si Brazili.
Përditësime
Politikat tarifore dobësuan dolarin amerikan, duke ndihmuar eksportet amerikane dhe duke bërë importet më të shtrenjta, çka rriti inflacionin.