Të dielën mbrëma, në palestrën Sezai Surroi të Prizrenit, skuadra e Trepçës nga Mitrovica fitoi bindshëm ndaj Bashkimit me rezultat 89:71, në kuadër të xhiros së 24-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Me këtë fitore, Trepça ka siguruar vendin e parë për fazën e plejofit. Katër xhiro para përfundimit të sezonit të rregullt, mitrovicasit mbledhin 45 pikë, pesë më shumë se Bashkimi, që renditet në vendin e dytë.
Trepça kishte mposhtur Bashkimin edhe në finalen e Kupës së Kosovës. Edhe këtë herë, skuadra mitrovicase arriti një triumf të qartë, ndonëse pa dy lojtarët e rëndësishëm Shawn Jones dhe Akili Vining. Mitrovicasit dominuan gjatë gjithë ndeshjes, duke mbajtur epërsi të vazhdueshme.
Te Trepça, lojtari më i dalluar ishte Mustapha Amzil me 23 pikë, tre kërcime dhe dy asistime. Ja’cori Payne realizoi 17 pikë, pesë kërcime dhe tre asistime, ndërsa Mikaile Tmushiq shtoi gjashtë pikë, nëntë kërcime dhe katër asistime.
Te Bashkimi, Dequon Lake shënoi 16 pikë dhe gjashtë kërcime, kurse Valon Bunjaku kontribuoi me 12 pikë dhe tetë kërcime.
Për Trepçën, kjo ishte fitorja e 16-të radhazi në Superligën e Kosovës.