Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se raundi i dytë i bisedimeve me Iranin mund të zhvillohet të premten ose brenda 36-72 orëve. Kjo u konfirmua përmes mesazheve të shkëmbyera me gazetën New York Post, ku Trump u përgjigj: "Është e mundur!".
Burime pakistaneze raportuan se përpjekjet për ndërmjetësim me Teheranin kanë rritur shanset për rifillimin e bisedimeve. Islamabadi vazhdon kontaktet diplomatike me autoritetet iraniane, duke vlerësuar progresin brenda këtij afati. Armëpushimi midis palëve mbetet në fuqi, pa regjistruar përshkallëzim ushtarak nga asnjëra anë.
Në një njoftim të së martës, Trump shpalli zgjatjen pa afat të armëpushimit, i cili pritej të përfundonte të mërkurën në mbrëmje. Qëllimi ishte t’i jepte Iranit kohë për të paraqitur një propozim të unifikuar, duke kapërcyer dallimet e brendshme. Në platformën Truth Social, presidenti amerikan urdhëroi forcat ushtarake të ruajnë bllokadën dhe të qëndrojnë në gatishmëri derisa të përfundojnë negociatat.
Raundi i dytë i bisedimeve ishte planifikuar për të mërkurën, por u shty për shkak të zhvillimeve diplomatike. Autoritetet iraniane ende nuk e kanë konfirmuar ndonjë takim të ri. Zgjatja e armëpushimit shihet si hap për të shmangur tensionet e reja dhe për të krijuar hapësirë për dialog.