Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka bërë një ftesë zyrtare Selisë së Shenjtë në Vatikan për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, të dedikuar rindërtimit të Gazës dhe rajoneve të tjera të botës. Lajmi u bë i ditur nga kardinali Pietro Parolin, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, gjatë një eventi të organizuar nga Observatori për Mendimin e Pavarur në Romë.
Parolin tha se Papa ka marrë ftesën dhe Vatikani po e shqyrton me kujdes mundësinë e pjesëmarrjes. Ai nënvizoi se kjo kërkesë nuk parashikon kontribut ekonomik nga Vatikani, pasi Selia e Shenjtë nuk ka kapacitet financiar për të dhënë mbështetje të tillë. «Është një çështje që kërkon pak kohë për t’u marrë në konsideratë dhe për t’u dhënë një përgjigje», deklaroi ai, duke shtuar se roli i Vatikanit mund të jetë këshillimor dhe diplomatik.
Në lidhje me tensionet midis SHBA-së dhe Evropës, Parolin vuri në dukje se po krijohet një klimë që përkeqëson situatën globale. Ai theksoi rëndësinë e diskutimeve konstruktive në vend të polemikave dhe insistoi në respektimin e së drejtës ndërkombëtare. Nga Davosi, Trump deklaroi se e do Evropën, por nuk i pëlqen drejtimi që ajo ka marrë. Sipas Parolin-it, përtej ndjenjave personale, prioritet mbetet respektimi i rregullave të bashkësisë ndërkombëtare.
Bordi i Paqes për Gazën do të ketë pjesëmarrjen e Shqipërisë dhe Kosovës si shtete anëtare themeluese. Aderimi i Shqipërisë u miratua nga Këshilli i Ministrave dhe pritet të ratifikohet në seancën plenare të Kuvendit.