Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka komentuar situatën e krijuar në Rusi pas raportimeve për vdekjen e një punonjëseje të një laboratori, e cila dyshohet se është shkaktuar nga murtaja pneumonike. Gjatë një deklarate për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, ai u pyet nëse kjo ngjarje mund të jetë e lidhur me përdorimin e një arme biologjike, pyetje të cilës iu përgjigj me mohim.
“Ne nuk mendojmë kështu. Do ta zbulojmë shumë shpejt, por nuk mendojmë kështu”, deklaroi Trump. Ai theksoi se autoritetet ruse pretendojnë se e kanë situatën nën kontroll, por shprehu rezerva ndaj këtyre garancive, duke kujtuar raste të mëparshme. Presidenti amerikan krahasoi mungesën e transparencës nga ana e Moskës me reagimin e Kinës në fillimet e pandemisë së COVID-19, duke vënë në dukje se asnjëra prej tyre nuk po ndan të dhëna të mjaftueshme.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri të ditur se institucioni që ai drejton po kërkon informacion shtesë nga Rusia lidhur me vdekjen e punonjëses dhe raportimet për një punonjës të dytë që shfaq simptoma të pneumonisë me shkak të panjohur.
Donald Trump njoftoi gjithashtu se ka planifikuar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar për këtë çështje, në një ditë që përkon me ditëlindjen e liderit rus.