Donald Trump ka pezulluar vizat e emigrimit për shtetasit e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, ndërsa Serbia nuk përfshihet në këtë listë. Ky vendim bazohet në të dhënat e publikuara prej tij, sipas të cilave një përqindje e lartë e emigrantëve nga këto vende nuk punojnë dhe varen nga ndihmat sociale amerikane.
Sipas listës së Trumpit, shtetasit e Kosovës figurojnë me 46%, të Shqipërisë me 41% dhe të Malit të Zi me 37% varësi nga këto ndihma. Njohës të sistemeve sociale amerikane shpjegojnë se këto benefite parashihen nga ligjet e SHBAsë dhe përfitojnë edhe 39% të familjeve amerikane joemigrante.
Arsyet e përjashtimit të Serbisë përfshijnë emigracionin më të ulët krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, si dhe faktin se emigrantët serbë janë kryesisht të kualifikuar, si inxhinierë të sektorit të ITsë, të kërkuar nga tregu i punës amerikan.
Si shembull mashtrimi social përmendet rasti në shtetin amerikan të Minnesotas, ku persona me prejardhje somaleze grabitën mbi 1 miliard dollarë nga viti 2020. Janë akuzuar 86 persona, 78 prej të cilëve me origjinë somaleze, dhe 59 janë dënuar me burg. Prokurori Joseph Thompson ka theksuar përmasat e mëdha të këtij mashtrimi.