Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se planifikon të presë Presidentin kinez, Xi Jinping, në Shtëpinë e Bardhë deri në fund të vitit 2026. Deklarata u bë në një intervistë me NBC News dhe theksoi se bisedimet do të përqendrohen në çështjet tregtare dhe marrëdhëniet dypalëshe.
"Ai do të vijë në Shtëpinë e Bardhë drejt fundit të vitit. Këto janë dy vendet më të fuqishme në botë dhe ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë", u shpreh Trump, duke nënvizuar rolin e SHBA-së dhe Kinës në skenën ndërkombëtare.
Trump kujtoi se vetë planifikon një vizitë zyrtare në Kinë në muajin prill, si pjesë e kontakteve të nivelit të lartë midis dy vendeve. Marrëdhëniet ekonomike midis Uashingtonit dhe Pekinit mbeten thelbësore për ekonominë globale, pavarësisht tensioneve të mëparshme tregtare dhe gjeopolitike.
Sipas burimeve, që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë një vit më parë, SHBA-ja ka aplikuar sanksione dhe taksa mbi çelikun, automjetet dhe produkte të tjera kineze. Dy vendet arritën një armëpushim tregtar pas përshkallëzimit pranverën e kaluar, ndonëse mbeten të ndërthurura ekonomikisht.
Xi Jinping, i cili vizitoi SHBA-në për herë të fundit në vitin 2023, ka paralajmëruar Trump-in për kujdes në shitjen e armëve drejt Tajvanit. Ai shprehu shpresën për zgjidhje miqësore të çështjeve dypalëshe: "Duke trajtuar çështjet një nga një dhe duke ndërtuar vazhdimisht besim të ndërsjellë, ne mund të gjejmë një mënyrë të drejtë që të dy vendet të shkojnë mirë".
Përditësime
Donald Trump dhe Xi Jinping zhvilluan një bisedë të gjerë të dielën për tregtinë, Tajvanin, luftën e Russisë në Ukrainë dhe situatën në Iran.
Intervista e Trumpit me NBC, e regjistruar të mërkurën, u transmetua të dielën.